Policia: Jemi duke hetuar grafitet kërcënuese ndaj liderëve politikë e fetarë

Me anë të disa grafiteve, që janë shkruar brenda Kampusit të Universitetit të Prishtinës, në muret e Fakultetit Filologjik, publikisht janë kërcënuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava.
Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar lidhur me këto grafite duke i dënuar dhe cilësuar si të papranueshme.

Bashkësia Islame, ka ftuar autoritete kompetente që të hetojnë rastin dhe autorët e këtij akti të sillen para drejtësisë.

Lidhur me këtë rast, autoritet e rendit thonë se pas marrjes së informatave, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryes veprimet e duhura.

Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës tha për Radion Evropa e Lirë se kanë nisur tashmë një hetim lidhur me rastin.

“Aktualisht në bashkëpunim më Prokurorinë, Policia po trajton dhe po punon për sqarimin e të gjitha rrethanave që e karakterizojnë këtë situatë. Këtu kemi të bëjmë me disa grafite, të cilat konsistojnë në kanosjen e personave zyrtarë. Policia ka intervistuar disa dëshmitarë të mundshëm, dhe në të njëjtën kohë është duke kërkuar edhe për dëshmitarë të tjerë që do të mund të kontribuonin në identifikimin e personave të cilët mund të jenë të përfshirë në ketë rast”, tha Borovci.

 

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu tha për Radion Evropa e Lirë se i dënon veprimet e tilla, dhe se kërcënimi me vdekje i udhëheqësve të shtetit, atyre të BIK-ut dhe Komunës së Prishtinës përmes grafiteve, është akt i papranueshëm dhe i dënueshëm për shoqëritë normale.

“Institucionet e vendit, e as udhëheqja e BIK-së nuk ndikohet nga individë të natës që thërrasin në dhunë e mbjellin urrejtje e mosdurim. Jemi të bindur që autorët dhe mentorët e këtij veprimi qyqar, nuk paraqesin qëndrimin e qytetarëve të Prishtinës e as të vendit. Këtë veprim e konsiderojmë të izoluar dhe ftojmë qytetarët, e sidomos studentët që mos të bien pre e individëve që thërrasin në dhunë, përhapin shpifje dhe i kontribuojnë urrejtjes e mosdurim”, tha Ahmeti.

Bashkësia Islame ka rikujtuar se feja dhe objektet fetare në Kosovës “gjithherë kanë qenë në funksion të paqes, mirëkuptim, tolerancës e harmonisë. E tillë do jetë edhe xhamia qendrore e Prishtinës”.

Grafitet në fjalë janë shkruar nga persona të panjohur pas paralajmërimeve për ndërtimin e xhamisë në qendër të Prishtinës.

Në disa nga grafitet bëhet thirrje për vdekjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të BIK-ut Naim Tërnava, kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. /rel/.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here