Erdogan: Nuk shqetësohen nga raketat amerikane, pse duhet të shqetësohen nga ato ruse

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se ka përmbyllur në vija të përgjithshme bisedimet për blerjen e sistemeve raketore S-400 nga Rusia.
Kreu i shtetit turk iu përgjigj interesit të gazetarëve në Aeroportin “Esenboga” të Ankarasë, menjëherë pas kthimit nga turneu i vizitave në vendet e Gjirit.

I pyetur rreth negociatave për blerjen e raketave S-400 nga Federata Ruse, Presidenti Erdogan tha: “Çdo shtet ka për detyrë të ndërmarrë masa të caktuara për sigurinë e tij. Këto masa sigurie është i detyruar t’i marrë nga ku mund t’i marrë. Edhe me Amerikën kemi realizuar bisedime të caktuara. Në lidhje me raketat S-400 gjithashtu kemi pasur bisedime. Kur përdoren armë të tjera nuk ka shqetësime, ndërsa kur përdoren (raketat) S-400 sjellka shqetësim. Kur përdoren (raketat) Patriot nuk paska shqetësime. Ne do të zgjedhim atë, me të cilin mund të bëjmë prodhim të përbashkët. Tashmë, sa i përket sigurisë, Turqia i bën të gjitha simulimet (kompjuterike) duke marrë për bazë këtë. Ç’është e vërteta, bisedimet janë përmbyllur në vija të përgjithshme.”

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Dunford, komentoi pak ditë më parë se “do të ishte shqetësuese nëse Turqia do të blinte raketa S-400 nga Rusia”.

Ndërkohë që Presidenti Erdogan e vlerësoi komentin në fjalë me fjalët “përse duhet të jetë shqetësuese”, një përgjigje për Joseph Dunford erdhi gjithashtu nga zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagon), Koloneli Jeff Davis.

Gjatë konferencës ditore për shtyp ditën e hënë, Jeff Davis u ndal mbi komentin e kreut të Shtatmadhorisë amerikane duke thënë se “Turqia gëzon të drejtën të vetëvendosë për blerjen e raketave S-400 nga Rusia dhe për ta justifikuar këtë vendim sipas këndvështrimit të saj”.

I pyetur nëse Uashingtoni i ka ofruar ose jo Ankarasë ndonjë alternativë në lidhje me këtë çështje, Koloneli Davis u përgjigj me fjalët: “Nuk dua të futem në detajet e bisedimeve private.”/ trt

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here